Është hera e katërt që ndodh këtë sezon. Tri herë më parë kishte qenë përplasje tifozësh deri në anulim ndeshjesh në Ligën e Parë të Francës, ndërsa këtë herë dhuna ndodhi sërish në tokën franceze, veçse në Ligën e Europës. Një përplasje mes tifozëve të Olimpikut të Marsejës dhe atyre të Gallatasarajit bëri që të ndërpritej për 9 minuta ndeshja në pjesën e parë, ndonëse përballja u arrit të përfundohej. Tifozët hodhën objekte të ndryshme kundër njëri-tjetrit, mes të cilëve sende të forta dhe flakadanë, me arbitrin që u detyrua të ndalte procedimin e sfidës. Për të qetësuar situatën u përdorën forcat e policisë të specializuara për raste të tilla. Në gusht, pati përleshje në ndeshjen mes Marsejës dhe Nisës (një derbi i Rivierës) ku Dmitri Paje u godit me një shishe. Ajo ndeshje u ndërpre dhe nuk është luajtur ende, ndërsa tifozët marsejezë zbritën në fushë në ndeshjen ndaj Anzherit.
Sfidanti.al