Futbolli është i aftë të të sjellë gjithçka, që nga periudhat gri, pa histori, pra të mërzitshme që nuk ke se çfarë t’i kujtosh dhe deri tek histeritë kolektive, nga ato që ke dëshirë t’i përjetosh sa më shpesh. Ja, përshembull ne po na vjen derbi. Dhe në këto raste, mënyra për ta kuptuar ekzaktësisht se çfarë do të thotë në shqip është ta krahasosh me evenimente të ngjashme të përjetuara nga fqinjët tanë, apo edhe me ata që gjeografikisht janë mjaftueshëm larg nga territori ynë. Në Serbi dhe në Greqi, derbi do të thotë ashpërsi ekstreme, që shpesh degradon në dhunë tipike ballkanike. Në Itali mban emrin e shenjtë të Madoninës, ndërsa në Gjermani mund të shijosh dekoret e mrekullueshme. Diku ekzistojnë edhe përplaste gati “apokaliptike”, si në Argjentinë, ku për të përfunduar një debi Boka – River Plate, i gjithë Buenos Airesit iu desh të transferohej në Madrid. Ndërsa derbi ynë, prej kohësh është vetëm një justifikim. Në këtë futboll të keqtrajtuar, sigurisht që na duhej më shumë se kurrë një Tirana – Partizani, qoftë edhe për të thënë në publik, se këtij sporti që dergjet në shtrat, ende i dëgjohet dihatja.
A e dini se pse gjatë kësaj periudhe na ka interesuar gjithnjë e më pak cilësia e ndeshjeve të rivalëve tradicionalë të kryeqytetit? Sepse tifozët na e kanë zëvendësuar me atë që na ka munguar më shumë, dashurinë, entuziazmin e tyre. Në një kampionat që prej kohësh vuan një dënim kapital, atë të shkallëve të zbrazura të stadiumeve, nuk ka se si të mos na emocionojë zhurma e tifozëve, koreografia e tyre, ndoshta edhe fyerjet me fjalor pa limit ndaj njëri-tjetrit. Në fund të fundit, ja ku na ka mbetur pak futboll.
Derbi ynë është edhe një mundësi e shkëlqyer për të krahasuar epoka të ndryshmem, atë të dikurshmen të bazuar tek sakrifica, pasioni dhe talenti, me këtë të tanishmen që është në vetvete një fushatë e shfrenuar publicitare. Tifozët janë po të njëjtët, por vetëm nga interesimi, pasi dikur ishin një turmë e errët, kryesisht e veshur me rroba doku, ndërsa tani janë plot ngjyra, një grup i madh firmato që mësyjnë një stadium. Ndërsa ata të fushës, dikur ishin vetë futbolli dhe tani janë kryesisht një prodhim artizanal që janë shitur fillimisht në CD, ose nëpërmjet shtypit. Atëherë ishin produkt organik i asaj kohe që kishte pak mall për tregjet, por gjithmonë “bio”, ndërsa këta të tanishmit luajnë me drita, pra janë kryesisht një person modest dhe katër hije që e ndjekin.
A, meqë na u kujtuam edhe derbi i së djelës do të luhet nën ndriçimin e prozhektorëve, pra edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit është shumë i rëndësishëm, pasi shkeli një rregullore që e vuri vetë institucioni, duke pezulluar orët e mbrëmjes për shkak të ndriçimit të papërshtatshëm në stadiumet e parikonstruktuara. Çfarë do të thotë derbi në shqip? Ndoshta fasadë?