Mbrojtësi spanjoll, Dani Carvajal, po përjeton momentin më të vështirë të karrierës së tij. Në moshën 34-vjeçare, lojtari i Real Madrid është shumë pranë lamtumirës me klubin, ndërsa një dëmtim i fundit dhe vendimi i drejtuesve e kanë çuar drejt një fundi të hidhur.
Carvajal ka pësuar një dëmtim në gishtin e këmbës së djathtë, që praktikisht e përjashton nga pjesa e mbetur e sezonit në La Liga dhe e bën pothuajse të pamundur rikthimin në formë. Sipas raportimeve, ai mund të mungojë për disa javë dhe shpresa e vetme mbetet një paraqitje simbolike në ndeshjen e fundit në “Santiago Bernabéu”.
Situata e tij është komplikuar edhe nga vendimi i Real Madridit për të mos i ofruar rinovim kontrate, e cila skadon më 30 qershor 2026. Klubi ka zgjedhur të mbyllë bashkëpunimin me një nga lojtarët më të rëndësishëm të dekadës së fundit, kryesisht për shkak të mungesës së vazhdimësisë dhe problemeve fizike.

