“Gabime njerëzore”… është një justifikim që përsëritet aq shpesh, sa herë që flitet për gafa arbitrash, saqë ka krijuar përshtypjen se është një nga logot zyrtare të Federatës. Por, megjithëse gabimet që përcaktojnë fatin e ndeshjeve janë të zakonshme, madje janë kthyer në një pjesë përbërëse të sistemit, në këtë periudhë të sezonit arbitrat pothuajse dalin jashtë kontrollit. Dhe kështu që ia kanë sjellë në majë të humdës edhe vet presidentit Duka, i cili i ka thirrur në këtë vakt Covid-i dhe thuhet se u është drejtuar me tone të frikshme. Kështu, në një farë mënyre, shefi i futbollit u është përgjigjur zyrtarisht ankesave të disa presidentëve, pikërisht të atyre që këtë kampionat janë pozicionuar në kampin e të pakënaqurve. Gjithsesi, meqenëse problemet nuk zgjidhen vetëm me të thirrura, ka ardhur edhe një lajm i mirë: FSHF-ja ka bërë një investim të konsiderueshëm për të blerë kufje për arbitrat dhe flitet për pajisje të një cilësie shumë të lartë, me anë të të cilave do të mund t’i dëgjojnë me një pastërti maksimale, meloditë që do t’u luhen në veshë.
Gjatë këtyre javëve, në të gjitha kategoritë, madje duke mos kursyer as aktivitetet e fëmijëve, janë evidentuar vendime të tmerrshme arbitrale, ndërkohë që ambjenti sportive po i kalon gjithnjë e më shumë me indiferencë. Aq saqë tashmë ka filluar të krijohet përshtypja, se ky sektor, në futbollin tonë është i përbërë nga dy kategori: Një pjesë që gabojnë sepse punojnë shumë dhe të tjerët që gabojnë se nuk dinë dhe kështu që janë po aq të pafajshëm. Pra, nëse na shkon mendja për keq, po tentojnë të na sigurojnë se nuk flitet për veprime të qëllimshme. Dhe nëse në fund fare nuk na mbushet përsëri mendja, atëherë kemi mbledhjen e ashpër të Dukës me dyer të mbyllura, ku arbitrat duhet ta kenë fiksuar mesazhin, që edhe nëse do të jenë të udhëruar, kjo nuk do të thotë se kanë të drejtë ta bëjnë baltë… madje tani do të kenë edhe kufje nga fjala e fundit e shkencës që kanë kushtuar pothuajse sa një Mercedes me kambio automatike.