Një paraqitje mbresëlënëse ishte ajo që duhej për të fituar trofeun e radhës dhe Reali e bëri në finalen e Superkupës së Europës ndaj Mançester Junajtid. Skuadra e Zidanit ishte si “Aleksandri i Madh” në stadiumin e Shkupit me emrin e babait të heroit të Maqedonisë së Vjetër (jo kësaj të tanishmes), Filipit të Dytë. Heronjtë e mbrëmjes për Madridin ishin Kasemiro dhe Isko, ndërsa Kristiano Ronaldo luajti vetëm 10 minuta. Lukaku ngushtoi diferencën për Mançester Junajtidin në ndeshjen e tij të parë zyrtare me skuadrën e tij të re.
Kampionët e Europës treguan më shumë lojë, siç edhe ishte e pritshme nga një fitues i dyfishtë i Championsit, dhe nga një ekip me përbërje të jashtëzakonshme dhe me lojë më të kolauduar sesa ekipi i Murinjos. Trajneri portugez u detyrua të ndërtonte një skuadër që të luante me topa të gjatë në pjesën e dytë, që e mbajti topin vetëm 40 për qind, por që goditi portën pak a shumë aq sa kundërshtari. Lukaku dhe Rashford humbën raste të pastër për fituesit e Ligës së Europës.
Sfidanti.al