Napoli, është fitorja e popullit kundër Pallatit të Pushtetit!

Mauricio Sarri nuk e humbi për asnjë moment kthjelltësinë kur hyri në konferencën për shtyp pas fitores së madhe kundër Juventusit. Në fillim tha se “kjo është një kënaqësi e madhe, por thjesht një, pasi në tërësi ka ndryshuar pak, Juventusi është favorit për titullin”. Pastaj komentoi suksesin.

“Ishte fitorja e popullit, pasi Napoli përfaqëson të gjithë njerëzit, jo thjesht një qytet, – u shpreh trajneri napolitan, – a mund të shkojmë deri tek Pallati (i pushtetit)? Pallati nënkupton që duhet të jetë pushteti. Juventusi nga ana e rezultateve është pushteti, pasi ka fituar 6 tituj radhazi dhe është në krye edhe në kampionatin e shtatë. Është pushteti teknik, por sipas meje edhe diçka më shumë …”.

Mendimi personal i Sarrit nënkupton se Juventusi në një farë mënyre është përfaqësues i atyre që drejtojnë Italinë, pushtetit ekonomik dhe politik, ndaj edhe është shumë e vështirë ta zbresësh nga vendi i parë.

Napoli, gjithsesi, ia doli brenda në Torino, duke fituar 1-0 me golin e shënuar nga Kulibali në minutën e 90-të, por sidomos duke luajtur më mirë sesa skuadra e Masimiliano Alegrit. Juventusi kryeson ende Serinë A me 85 pikë pas 34 ndeshjeve, por Napoli është fare pranë, me 81. Titullar si gjithnjë, edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Sfidanti.al