Janë thënë disa fjalë pas ndeshjes në Shkodër, pikërisht pas humbjes më të “pakuptimtë” të Vllaznisë, shkaktuar nga Luftëtari, të cilat kanë habitur ndoshta edhe më shumë se shthurrja që u përjetua nga fusha. Fjalët e trajnerit Gjoka , për të shpjeguar këtë humbje, e cila u duk jo aq fatale për vetë futbollistët , kanë qënë si një atak tjetër për zemrën e lodhur të qytetit. E dëgjoje frazen dhe të dukej sikur ta bllokonte më shumë frymëmarrjen: “ Ne ishim të paqarte, madje ishim të ngadaltë. Është faji im për mosmotivimin e duhur të ekipit dhe për mosrealizimin teorik të ndeshjes..”
Ky qënka rasti tipik, kur gjithë “klasa” mbetet në klasë. Qoftë në praktikë, qoftë në teori. Edhe shkodrani më naiv, që është kalitur me pabesitë qe ofrojnë javët, kur ka dëgjuar këto fjalë, mund të ketë kruar veshët nga mosbesimi. Si ka mundësi që trajneri flet për mosmotivim të një ekipi, që ka si trofe, prej dy vitesh, shpëtimin nga turpi historik! Edhe një dashamirës modest ka arsye të pyesë me dyzim se cila është arsyeja që trajneri të “vetëvritet” me fajin që merr, u bën këtë nder të pamerituar futbollistëve, atyre që më shpejt e dorezuan ndeshjen, sesa e luajtën. Madje në koifidencë, duke “habitur” edhe gjirokastritët me sjelljen e tyre…
Dikur, trajnerët e vjetër, dhe tani brezi i ri që ka moshën e trajnerit Nesti Gjoka, na kanë mësuar përmendsh leksionin se në disa ndeshje, nuk ka nevojë të flasë trajneri e as psikologu. Kur luhet për të shpëtuar kokën dhe jo lëkurën, fjalët janë të tepërta. Të gjithë e dinë se jeta vlen sa 90 minutat e ndeshjes. Çfarë mrekullie donin të dëgjonin nga trajneri i tyre futbollistët e Vllaznisë ? Ata që u ndezën dhe u fikën shumë shpejt, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, pa i shpëtuar shigjetës me helmin e humorit se “futbollistët tanë në pjesën e dytë, duket sikur i zë bari i stadiumit” ! Sido që të luhen kartat deri në fund të “pokerit” të Superligës, ka tifozë shkodranë që e quajnë “historik”, edhe nëse fundi do të përngjasojë me atë që u ka ndodhur kampionëve të tjerë si Dinamo, Partizani e Tirana.
Në një sistem ku luajnë shumë dhe fiton vetëm njëri, dhe ai nuk luan në fushë,por gjetiu, ku e vërteta me top ka vdekur qysh në lindje, pse u dashka ta shohim si fundin e botës, rënien poshtë të shkodranëve. Apo, mos Vllaznia ka ndonjë formulë tjetër shpëtimi, përveç fushës, nga ato magjirat që shpiken në zyrat kazino, ku hidhen zaret e fatit. Në qoftë kështu, në djall vaftë motivimi , i bekuar qoftë dallaveri zyrtar, që në fund të sezonit harbohet me paudhësitë që nuk shterrojnë.. Mjafton që fundi të jetë i ëmbël, si një vit më parë, kur disa shkodranë të armatosur me humor, bënin sikur hidheshin përpjetë nga gëzimi, harbonin si të lumtur, të dehur nga fundi me nder i kampionatit, duke thënë se në derën e qytetit ku lindi futbolli, trokiti vdekja, por nuk ia hapëm ..derën.
Gëzim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport