Gjetja e profilit me numër 6 në “Allianz Arena” po merr trajtën e një “ekuacioni” pa zgjidhje, ndonëse shumë emra janë lakuar ditët e fundit. Konor Gallager i shtohet “galerisë” së lojtarëve në radarët e kampionëve të Bajernit. Personazhi në fjalë gjendet në radhët e Çelsit dhe ka kontratë me “blutë” deri në vitin 2025.
Nën urdhrat e trajnerit Mauricio Poçetino ai është inkuadruar në të tria takimet e Premier Ligës, tregues se gëzon reputacion të fortë në planet e teknikut argjentinas. Mbetet e paqartë se interesi i bavarezëve konsiston me formulën e huazimit apo blerjes përfundimtare. Nëse i referohemi gamës së kufizuar prej Gallagerit mbi eksperiencat në futbollin europian dhe lakmisë së bavarezëve në kontinentin e vjetër, duket se binomi në fjalë nuk kanë asnjë lidhje. Dortmundi është përfolur si opsion për anglezin, ndonëse ka munguar lëvizja konkrete mes palëve. 32 milionë euro vlerësohet në treg lojtari i lidhur me aksin Londër-Mynih.