Kombëtarja mëson kundërshtarët, shorti i eleminatoreve të Botërorit hidhet në Zyrih!

Është sot dita e së vërtetës. Një cikël i ri nis për kombëtaren e Shqipërisë në futboll, ai i eleminatoreve të Kupës së ardhshme të Botës, dhe fati do të dalë nga goglat në shortin e orës 18:00 në Zyrih të Zvicrës. Ceremonia orgzanizohet, si tradicionalisht, nga FIFA, dhe do të përcaktojë grupet kualifikues. Kombëtarja ndodhet në vazon e 4-ët nga 6 që janë gjithsej, i njëjti nivel si në eleminatoret e Europianit, veçse një vazo më poshtë sesa kualifikueset e Kupës së kaluar të Botës në Rusi.

Ndarja e vazove është bërë sipas renditjes së FIFA-s të muajit nëntor, ndërsa Shqipëria është në një nivel me Bosnjë-Hercegovinën, Slloveninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Izraelin, Bjellorusinë, Gjeorgjinë dhe Luksemburgun. Ekziston mundësia që të jemi në një grup me Kosovën, diçka që nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën, ndërsa kemi luajtur vetëm miqësore. Gjithashtu, është i mundshëm një tjetër shortim me Serbinë, ashtu si në eleminatoret e Europianit 2016, diçka që nuk është ndaluar me rregullore, pavarësisht ngjarjeve të Beogradit në tetor 2014.

Gjithsej do të ketë 10 grupe me nga 5 ose 6 ekipe. Në short do të marrin pjesë 55 vende europiane, që është një rekord i ri për kontinentin. Në 2018 ishin 54 ekipe, pasi u shtua Kosova që sapo ishte pranuar në FIFA dhe UEFA, si dhe Gjibraltari, por nuk mori pjesë Rusia si organizatore e finaleve. Këtë herë, janë Kosova, Gjibraltari dhe Rusia.

Në finalet e Kupës së Botës në Katar në 2022 do të shkojnë 13 ekipe të zonës UEFA, nga të cilët 10 do të jenë fituesit e grupeve. Tre finalistët e tjerë do të përcaktohen nga faza e dytë eleminatore, ku do të jenë 10 vendet e dyta në grupe, plus 2 kombëtaret me më shumë pikë nga Liga e Kombeve, që nuk do të jenë kualifikuar direkt. Këto do të ndahen në 3 kategori me nga 4 ekipe që do të luajnë gjysmëfinalen dhe finalen, me fituesit që shkojnë në Botëror. Edhe Shqipëria e ka një shans të tillë, duke qenë fitues grupi në Nivelin C të Ligës së Kombeve.

Sfidanti.al