Çfarë nderi, Ançeloti krahason sulmuesin e tij me Pipo Inzagin!

Karriera e gjatë dhe përvoja e madhe e bën që ta njohë mirë futbollin, ndaj edhe të bëjë krahasime. Karlo Ançeloti, trajner i Evertonit, mendon se sulmuesi që ka tani në skuadër, Dominik Kalvert-Ljuin, është në formë të tillë që mund të përngjahet pa frikë me legjendën e golit, Filipo Inzagi. “Karleto” e pati SuperPipon në ekip kur drejtonte Milanin duke fituar dy Champions si dhe titullin në Serinë A, ndërsa Kalvert-Ljuin po shënon mjaft gola në Angli, duke arritur në shifrën 16 të sezonit pasi realizoi ndaj Bërnlit. “Ai është një sulmues i shkëlqyer, – thotë trajneri, – unë nuk e prisja që të kishte kaq shumë vazhdimësi. Një e papritur e madhe, që shpresoj të vazhdojë deri në fund të sezonit. Ai ka një nuhatje për golin që e bën t’i ngjajë Pipo Inzagit”. Sulmuesi 23-vjeçar shënon gol çdo 88 minuta.

Sfidanti.al