Efekti “Maradona”, apo Napoli është vërtet pretendent për titull?!

Diferenca me kreun është 6 pikë, ndërsa Interin dhe Juventusin i ka aty, në shoqëri të ngushtë. Flasim për Napolin e trajnerit Xhenaro Gatuzo, që iu përgjigj të mëdhenjve të Italisë me një fitore domethënëse, 4-0, në fushën e Krotones për të vazhduar pretendimet për titull. Ishte suksesi 4-0 i dytë radhazi pas atij në stadiumin “Maradona” (ish-San Paolo) ndaj Romës, dhe pyetja që bëhet në Itali është kjo: Mos vallë Napoli po ecën përpara i shtyrë nga efekti “Maradona”, pra për të respektuar legjendën e shuar, apo vërtet është pretendent për të fituar Serinë A?

Gatuzo ka në dorë një ekip me 26 lojtarë, mjaft prej të cilëve shumë të mirë si Insinje, Mertens, Kulibali, por me të tjerë mjaft të mirë si Meret, Ospina, Deme, Bakajoko, Mario Rui, Elmas, Fabrian Ruiz, Osimhen, Lozano, Maksimoviç, Hysaj, Zielinski, Milik, Politano, Di Lorenco, Rrahmani, Petanja apo Manolas. “Jemi shumë të mirë dhe duhet të kemi besim tek vetja, por duke e treguar me lojë të mirë, – thotë Gatuzo, – kjo duhet treguar në fushë. Duhet të jemi më pak akademikë, më shumë luftëtarë”.

Lorenco Insinje, Hirving Lozano, Diego Deme dhe Andrea Petanja ishin autorët e golave, ndërsa ndeshjet e radhës janë me Sampdorian në shtëpi, Interin e Lacion jashtë dhe Torinon brenda. Napoli ka 20 pikë, po aq sa Juventusi dhe me golaverazhin më të mirë sesa kampionët, 24-10, madje me golaverazhin më të mirë të Serisë A. Napolitanët kanë 7 fitore e 3 humbje, njërën prej të cilave në tavolinë me Juven, që ndoshta edhe mund të hiqet.

Sfidanti.al