Karriera e Agueros tek Siti mbyllet me një statujë para stadiumit!

Nuk thuhet kot që është më mirë të largohesh kur je ende në majë. Mançester Siti jep zyrtarisht një lajm tronditës dhe solemn, Sergio Kun Aguero do të largohet në fund të sezonit, ndërsa përpara stadiumit “Etihad” do të vendoset një statujë për nder të tij. Vepra të tilla arti zakonisht vendosen për legjenda si Bill Shenkli tek Liverpuli apo Mat Basbi tek Mançester Junajtidi. Aguero e meriton statujën duke qenë rekordmeni i golave tek Siti me 257 gjithsej, ndërsa këtë vit do të fitojë titullin e 5-të në Premier Ligë. Për një klub të pamësuar me suksese të mëdhenj si Liverpuli apo Junajtid, kjo është legjendare. Aguero mbërriti 10 vjet më parë pasi u paguan 35 milionë paundë stërlinë për kartonin e tij tek Atletiko e Madridit. Me ndihmën e tij dhe të heronjve si Vinsent Kompani në 2012 u fitua titulli i parë që nga viti 1968. Nuk dihet se ku do të shkojë Aguero më pas, tek Barcelona apo Paris SG, apo ndoshta do të kthehet në Argjentinë.

Sfidanti.al