Dëmtohet edhe “i hekurti” Levandovski, dridhen Polonia e Bajerni

Një nga futbollistët që nuk kanë dashur t’ia dinë nga lëndimet, e provoi se çdo të thotë një gjë të tillë. Robert Levandovski u dëmtua në fitoren 3-0 që Polonia arriti në Varshavë ndaj Andorrës (dhe ku shënoi dy gola), dhe Federata Polake njofton se ai nuk do të luajë në ndeshjen-kyçe eleminatore të Botërorit ndaj Anglisë në “Uembli”. Një lehtësim i madh për anglezët pasi Levandovski është lojtari më i mirë polak, dhe se Polonia jepej si pengesa më e madhe për fitoren e grupit dhe kualifikimin në Botëror. Gjithsesi, sipas lajmeve më të hershme, sulmuesi 32-vjeçar nuk do të ishte në ndeshjen me Anglinë i ndaluar nga Bajerni për shkak të rregullave të koronavirusit. Informacioni është se Leva ka dëmtuar ligamentet e gjurit, por nuk do të mungojë gjatë, vetëm 5 deri në 10 ditë. Gjithsesi, kjo mjafton që ai të mos luajë në ndeshjen tepër të rëndësishme ndaj Lajpcigut në Bundesligë, pra ndaj rivalit të vërtetë të Bajernit në luftën për titull.

Sfidanti.al