A do të bëhet Solskjeri një Ferguson për Pogbanë dhe Raiolën?!

Kanë kaluar shumë vjet nga ai takim shenjëlënës, por edhe kohët kanë ndryshuar. Sër Aleks Fergusoni takoi atëherë Mino Raiolën, ndoshta në 2011, me synimin për të marrë një 18-vjeçar që quhej Pol Pogba, dhe në atë kohë ndodhi diçka që ndau ujërat. “Takimi ishte një fiasco, – u shpreh Fergusoni më pas, – që nga ajo kohë e më pas ne nuk e pamë dot me sy njëri-tjetrin, ne ishim si macja me miun (ose siç shprehet skocezi “si vaji dhe uji”).

Trajneri legjendar i Mançester Junajtidit nuk ngurroi ta quante Raiolën “një copë m…”, por në verën e 2013-ës ai u largua nga timoni dhe bashkë me të iku edhe shefi ekzekutiv, Dejvid Xhill. Pasi dy ekspertët e futbollit dolën nga dera e “Old Trafordit”, aty hyri Raiola, të cilin mediat angleze sot e quajnë një “hienë”. Kjo “hienë” solli aty disa lojtarë si Pogbanë, Ibrahimoviçin, Lukakun dhe Mkitarianin, të cilët nuk është se shkëlqyen aty. Së fundmi, agjenti italian që jeton në Holandë i zemëroi pa masë tifozët e Mançester Junajtidit duke thënë se “koha e Pogbasë në klub ka përfunduar” e duke kërkuar që mesfushori të largohet në janar.

Tifozët i kërkuan publikisht trajnerit Ole Gunar Solskjer që ta përjashtonte Pogbanë nga skuadra. Edhe mediat e ftuan norvegjezit që të mësonte nga stili i Sër Aleksit. Nuk dihet nëse trajneri norvegjez do ta bëjë, por me gjasë ka ardhur koha që në “Old Traford” të ketë njerëz që të mendojnë jo vetëm për biznesin financiar me shitjen e fanelave, por më së shumti për biznesin e futbollit, pa të cilin biznesi i parë bëhet pa kuptim.

Sfidanti.al