Fitoi dhe mbeti pranë kreut. Partizani mundi Teutën, nuk lejoi shkëputjen e Skënderbeut, fitoi terren ndaj Kukësit dhe la pas Tiranën, kur duhen pak ditë deri në përballjen direkte. Megjithatë, nuk mund të thuhet se skuadra e trajnerit Starova i bindi tifozët e vet, të cilët duhej të vuanin deri në fund.
Epërsia e kryeqytetasve ndaj durrsakëve ishte e qartë, por tri pikët erdhën nga një gol i vetëm. Nuk dihej sesi do t’ia bënin të kuqtë po të mos kishin sulmuesin Kaleb Ekuban. Gjithsesi, Partizani mbetet më i dëmtuari ekip i kampionatit, së bashku me Korabin, pasi nuk mund t’i luajë ndeshjet në Tiranë, pra as të ketë pranë tifozët, siç i kanë Skënderbeu, Tirana apo Kukësi.
Me suksesin ndaj Teutës, të kuqtë u ngjitën në kuotën e 23 pikëve, 3 më pak sesa kampionët korçarë, dhe vëtëm 1 pikë larg Kukësit. Në përfundi, Starova nuk mund të fliste ndryshe. “Ia dolëm dhe e fituam ndeshjen, por sa shumë vuajtëm, – tha trajneri i Partizanit, – më vjen mirë që morëm pikët, por duhet të shfrytëzojmë më mirë rastet para portës”.