Futbolli pati plot, ashtu si dhe polemika, por jo gola. Kukësi dhe Tirana u ndanë me një 0-0 në mbyllje të një ndeshjeje shumë të fortë në “Zeqir Ymeri”. Vendasit më këmbëngulës, ndërsa tiranasit më të kujdesshëm, që në fund mund të kënaqen me pikët në prag të derbit me Partizanin.
Kukësi shënoi dy herë, veçse të dyja herët golat iu anuluan. Pejiç ishte në pozicion jashtë loje dhe Shameti realizoi pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj portierit Ilion Lika. Tjetër gjë puna e penalltive të pretenduara. Disa herë skuadra e trajnerit Gjoka kërkoi 11-metërsh, por gjyqtari Meta nuk akordoi asnjë.
Pretendimi më i fortë ai i minutës së 27-të, kur topi u duk se u prek me dorë nga Daja. Po ashtu, në pjesën e dytë, momenti ishte shumë i dyshimtë. Tirana, nga ana e saj, protestoi për një pozicion jashtë loje gjithashtu të dyshimtë në fund të pjesës së parë. Gjithsesi, përfundoi 0-0, dhe më të kënaqur dolën kryeqytetasit e trajnerit Josa.
Ky barazim ndihmoi Skënderbeun të rikthehej në krye të kampionatit pas fitores në fushën e Laçit. Shifra minimale për të besuarit e trajnerit Agostineli, që gjetën golin e vetëm të takimit me anë të Latifit në pjesën e dytë.
Barazim edhe mes Korabit dhe Luftëtarit, veçse 1-1, me gola të shënuar nga Fait për miqtë dhe Mziu për vendasit. Skënderbeu ka 26 pikë pas 12 ndeshjeve, ndjekur nga Kukësi me 24.