Ishin ato kohë kur Reali personifikohej me golat e Kristiano Ronaldos. Portugezi, pas një rënieje disamujore, duket se është kthyer në nivelet e tij “qiellore” si golshënues, dhe po e nxjerr nga balta atëherë kur duhet skuadrën e tij. Dygolëshi i tij (5 rrjeta në La Liga në dy ndeshjet e fundit) bënë që të shmangej një e papritur e hidhur ndaj Sportingut të Gihonit në “Bernabeu” dhe të shkohet me epërsinë e duhur në “Kamp Nou” për “El Klasikon”.
“Nuk bëmë atë që duhet, – u shpreh trajneri Zidan pas sfidës, – i kënaqur jam vetëm me 3 pikët”. Të njëjtat fjalë do të thoshte edhe Ronaldo, ndërsa pas epërsisë 2-0 në 18 minuta, madrilenët i “ulën rremat në varkë” dhe lejuan Gihonin thuajse të barazonte. Karlos Karmona shkurtoi diferencën, ndërsa kroati Duje Çop humbi penalltinë vendimtare 12 minuta para fundit.
Mungesa e Garet Bejlit u ndje, Benzema nuk shtyu siç duhet, ndërsa Hames Rodrigez nuk e shfrytëzoi shansin që iu dha duke qenë titullar. Ndërkaq, mbeten edhe dyshimet për rinovimin e Pepes, ndërsa Ramos u nxorr nga loja përpara fundit për të mos marrë të verdhën që do ta skualifikonte ndaj Barcelonës. Mirë që është Ronaldo!