I gjithë futbolli lëngon financiarisht, “vritet” vetëm Flamurtari

I gjithë opinion sportiv në vend vazhdon të jetë i fiksuar pas gjetjes së arsyeve, pse Kombëtarja jonë e humbi në atë mënyrë ndeshjen kundër Izraelit. Por ndërkohë që studiot televizive dhe faqet e gazetave janë të mbushura me optimist dhe pesimistë, nga ata që mallkojnë arbitrat e Elbasanit dhe deri tek të tjerët që i mëshojnë defekteve në përgatitjen e ndeshjes, diçka e rëndë po ndodh në futbollin e vendit. Flamurtarin po e kërcënojnë sërish, për gjashtë pikë të tjera që mund t’i humbasë nga klasifikimi, madje tani ia kanë hapur portën e pasme dhe janë bërë gati t’i japin shtyrjen e fundit, për ta përplasur tek inferiorët.

Ngazëllimi se si po e përcjellin situatën, ata që drejtojnë futbollin në Shqipëri dhe amplifikimi i zëdhënësve të tyre, po krijon përshtypjen, sikur kanë themeluar një tifo-grup “Ultras”, të cilët nuk kanë të ngopur ta shohin Flamurtarin të shkatërruar, në fushë edhe në letra. Çdo ditë dëgjojmë të lajmërojnë me një zell të panjohur më parë, se si sot i përfundoi afati dikujt për t’u paguar dhe një ditë më pas një tjetri, ndërkohë që çdo qindarkë borxh të vlonjatëve ka një kurs këmbimi të përcaktuar në konvertimin me pikë minus.

Kjo në fakt mund të ishte normale, nëse kjo transparencë është e zakonshme, por në FSHF nuk ka funksionuar asnjëherë kështu. Pikërisht këta që po na lajmërojnë çdo ditë, se çfarë pritet t’i bëjnë deri në fund Flamurtarit, na fshehën me muaj të tërë një histori trukimi, që bëri pis të gjithë futbollin shqiptar. Janë këta, që me një sistem të ngritur konspiracioni, nuk bëjnë me dije asgjë, se si trajnerët e përfaqësueseve gdhinë të shkarkuar. Flamunrtari duket se ka edhe një meritë të madhe në këto ditë të vështira… po e bën Federatën më të dashur me publikun.