Jeta i qëlloi që ta kalonte në Athinë. Një shqiptar dhe bir shqiptari, Thoma Strakosha tashmë është larg kryeqytetit të Greqisë, sërish në një kryeqytet, në Romë. Së fundmi, mediat italiane shkruajnë se një nga klubet e mëdhenj të Athinës, Panathinaikos, është interesuar për ta marrë. Çfarë thotë vetë i zoti i punës? “Nuk pati ndonjë gjë me rëndësi, – thotë shkurt djali i Foto Strakoshës, – dhe nuk besoj se do të ketë diçka edhe në të ardhmen. Nuk dua të largohem nga Lacio, pasi kam ende shumë gjëra për të mësuar këtu”. “Athinën gjithsesi nuk e ndërroj me asnjë qytet tjetër të botës, – vazhdon ai, – më ka marrë shumë malli për Greqinë”.
Portieri 21-vjeçar, i thirrur së fundmi nga De Biazi në kombëtare, është pranë rinovimit të kontratës me Lacion, ndonëse nuk bëhet e ditur kohëzgjatja dhe përmbajtja financiare. “Jam shumë mirë tek Lacio dhe shpresoj të rinovoj kontratën, – thotë ai, – po punoj fort së bashku me skuadrën dhe shpresoj të jem sërish gati kur të vijë momenti im”. Nuk do të jetë e lehtë pasi Federiko Marketi tashmë e ka lënë prapa dëmtimin dhe është ai titullari. Gjithsesi, Thomai nuk bëhet pesimist, dhe ka edhe ndihmën e të jatit. “Më këshillon, më tregon gabimet, – thotë ai për mediat greke, – mendoj se kam trashëguar nga ai kulturën e punës, pasi impenjohet shumë për çdo gjë që bën”.
B. Kuka