Disiplina e mbytur në punë, gjen kohë për të bërë detyrën…pas derbit

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës këtë herë ka thyer një rekord duke rrëzuar edhe atë paraardhësin. Për vendimet e javës së kaluar, ky komision ka pritur që të fillojë java aktuale. Mënjëherë pas derbit Partizani-Tirana, Disiplina ka publikuar vendimet ndërkohë që deri në ditën e djeshme këtë gjë e kishte bërë maksimumi deri pak orë përpara nisjes së raundit pasardhës.

Anëtarët e këtij komisioni ndoshta e justifikojnë këtë vendim me faktin që as Partizani dhe as Tirana nuk ishin sukjekt i masave por pyetja që lind natyrshëm është: pse duhej të mblidheshin anëtarët e Disiplinës përtej limiteve kohore? Mos vallë kanë studiuar me detaje të gjitha episodet e javës së kaluar aq sa edhe 7 ditë e netë nuk u kanë mjaftuar për të marrë vendimet e duhura…objektive?

Ndoshta po, ndoshta…jo. Askush nuk ka për ta mësuar kurrë një gjë të tillë, ashtu siç Disiplina nuk na ka zbardhur ende ecurinë e hetimeve disavjeçare për ndeshje të dyshuara apo episode të dhunshme në futbollin shqiptar për të cilat ende zyrtarisht po heton.

Nga Pirro Bardhyli