Derbi zhyt Tiranën dhe shpëton Shehin

Partizani fitoi jo vetëm tre pikë ndaj Tiranës por edhe të drejtën për të thënë se gjatë këtij sezoni është ndoshta skuadra më e fortë e kryeqytetit dhe këtë nuk e tregoi vetëm në këton 90 minuta. Ekipi i drejtuar nga Orges Shehi (që derbi ka humbur vërtetë shumë pak), u mjaftua me një ndeshje të organizuar për të çorganizuar edhe më shumë skuadrën bardheblu e cila mund të konsiderohet seriozisht e rrezikuar për të humbur edhe finalen katërshe pas ekipe të uritura si Dinamo, Skëndereu apo Laçi duket se janë gati për t’i shkëputur ekipit nënkampion edhe objektivin më minimal të sezonit. Në krahun tjetër, Partizani u largua nga periferia e krizës dhe hodhi një hap drejt vendit të dytë edhe pse duhet të presë rezultatin e sfidës mes Vllaznisë dhe Egnatias. Ky ishte derbi i tretë i sezonit dhe falë fitores, të kuqtë tani kanë epërsinë “sezonale” ndaj bardhebluve në renditjen e Superiores. Ata kanë fituar dy ndeshje, ndërsa tjetra është ndarë barazim, duke i garantuar kështu Partizanit se pavarësisht rezultat të derbit të fazës së katërt, në rast pikësh të barabarta me rivalët historikë në mbyllje të fazës së rregullt në fund të këtij kampionati, do të jetë ekipi i Shehit ai që do të pozicionohet më lart në renditje. Kjo merr një rëndësi shumë të madhe në “Final Four” ku vendoset titulli kampion, pasi skuadra e renditur më mirë në kampionat, mund të mjaftohet edhe me barazimin për t’u cilësuar fituese e sfidës gjysmëfinale apo finale. Për Tiranën, re të errëta duken në horizont.

sfidanti.al