Ju kujtohet deklarata “kërcënuese” e Koço Kokëdhimës “udhëheqëesit shpirtëror” të Ligës dhe të Bojkotit? Nëse Qeveria nuk do të plotësonte 4 apo 5 kërkesat e “qeverisë së futbollit”, atëhere bojkoti do të merrte rrugët, madje bulevardin e madh, ku futbollistët e klubeve do të xhonglonin me top dhe pa top në shenjë proteste para dyerve të Kryeministrisë! Nëse do të ndodhte me të vërtetë, nëse ka Zot në futboll, kjo do të ishte një blasfemi e radhës e futbollit. Gjithë këto vite, futbolli ka patur një mijë arsye për të protestuar para dyerve të “Qeverisë” se vet, pra FSHF-së, që shijon rroga të majme në emër të futbollit, kur futbollistët mbeten pa rroga për muaj të tërë. Futbolli ka patur dhe ka humbur të drejtën e madhe morale për të protesuar për keqpërdorimin dhe kamuflimin e lojës së ndershme. Futbolli, nëse nuk do të ishte një familje e përçarë dhe më shumë e varfër shpirtërisht se sa ekonomikisht, do të kishte bërë grevë edhe kur Skënderbeu u dënua me 10 vite në Europë, kurse presidenti Duka, njeriu që frymëzoi futbollin e tredhur, u ngjit në altarin e UEFA-s.
Dikur thonin se futbolli është arti i besimit që shfaqet në një lojë me top, ndërsa sot është arti i pabësisë, që kërkon të mbulohet pas..topit! FSHF, ose kjo Liga që shtiret sikur nuk ka litarin e Dukës në fyt , ka thirrur gjithë këto ditë se ..”kjo Qeveri i ka katandisur si mos më keq klubet e futbollit!” Edhe sikur armiku më i betuar të jesh i kësaj Qeverie, siç po kërkon të shtiret “partia e futbollit”, tamam në prag të zgjedhjeve, nuk mund të shkelen “bamirësitë mëkatare” që kanë ndodhur në kurriz të qyteteve. Bashkitë kanë mbajtur gjallë futbollin duke u bërë “magji” milionave , pale të kujtosh edhe faktin për “Gines” që me paratë e taksapaguesve të lodhur ekonomikisht.. janë blerë futbollistë huaj.
Pra, shteti ka ndihmuar futbollin e FSHF-së që paratë të ..shkojmë jashtë vendit. Poshtë Qeveria ! – na thërret kjo Liga , ngaqë FSHF dhe zoti i saj kanë frikë të dalin vetë në skenë. Ishalla ky bojkoti është një lojë më shumë në pabesitë që shpiken para zgjedhjeve, sepse zoti Rama sapo nisi “nxemjen” me akuzat ndaj çunave të sistemit. Sidomos kur tha ..në ecje e sipër në një intervistë se “ pse futbolli ka kaq pak spektatorë dhe kaq shumë dhunë”. Ishalla nuk e ngacmojnë më “ luanin e qeverisë” se do të na kafshojë tek pjesa më delikate..trukimet !
Sfidanti.al