Leao përballet edhe te Galatasaray me të njëjtat kritika

Rafael Leao po përballet me kritika të forta edhe pas transferimit te Galatasaray, teksa sulmuesi portugez u largua nga Milani pas shtatë vitesh, ku nuk arriti të tregojë vazhdimësinë e pritur. Ish-lojtari i kuqezinjve, Filippo Galli, beson se ndarja ishte e natyrshme për të dyja palët. “Ai është një lojtar me talent, por nuk u bë kurrë lideri që mund të ishte”, deklaroi Galli, duke shtuar se “ndoshta talenti i Leao nuk shkon përtej këtij niveli”.

Galatasaray pagoi 38 milionë euro plus bonuse për kartonin e 27-vjeçarit, duke ruajtur edhe 20% të një shitjeje të ardhshme. Megjithatë, aventura e tij në Turqi nuk ka nisur sipas pritshmërive, pasi Leao ka zhvilluar katër ndeshje zyrtare, por ende nuk ka shënuar apo asistuar. Në humbjen 4-0 ndaj Trabzonsporit, ai humbi topin plot 21 herë, ndërsa paraqitja e tij shkaktoi reagime të shumta nga tifozët dhe analistët, të cilët kritikuan mungesën e intensitetit. Mike Lahoud nga “CBS Sports Golazo” e cilësoi paraqitjen e tij si të papranueshme dhe tha se Leao “duhet të zgjohet pak”, duke e konsideruar situatën si një mundësi të rëndësishme për ringjalljen e karrierës. Kështu, kritikat që shoqëruan portugezin gjatë aventurës së tij në Itali duket se e kanë ndjekur edhe në eksperiencën e re në Turqi.