Mbappe: Dembele është miku im, nuk ka asnjë tension

Kylian Mbappé ka reaguar për zërat rreth një përplasjeje me Ousmane Dembélénë në kampin e Francës, pasi deklaratat e tyre të ndryshme për Topin e Artë kishin nxitur dyshimet për një krisje mes dy sulmuesve. Gjithçka nisi pasi Mbappé foli për Dembélénë në një intervistë për “France Football”, ndërsa ky i fundit reagoi duke theksuar se nuk e ka ndjerë veten asnjëherë favorit dhe se ka punuar shumë për sukseset e tij me PSG-në.

Kjo deklaratë u interpretua si një kundërpërgjigje ndaj ish-shokut të tij të skuadrës, duke bërë që mediat franceze të raportonin menjëherë për një tension të mundshëm mes dy futbollistëve. Megjithatë, Mbappé ka vendosur t’i japë fund spekulimeve me një deklaratë të qartë. “E kam diskutuar tashmë me të dhe nuk ka tensione”, u shpreh sulmuesi i Real Madridit. Kapiteni i Francës theksoi se marrëdhënia e tij me Dembélénë mbetet e mirë. “Po flasim për një mik. Nuk mendoj se ka ndonjë problem të vërtetë, ndihem jashtëzakonisht i qetë”, tha ai. Mbappé e minimizoi gjithashtu situatën e krijuar në media, duke theksuar se gjatë grumbullimeve të Kombëtares franceze gjithmonë gjendet një temë për të diskutuar. Në këtë mënyrë, sulmuesi i Real Madridit ka mohuar publikisht çdo përplasje me Dembélénë, duke këmbëngulur se mes tyre nuk ka krizë.