Shkëmbi ku u fotografua Salah kthehet në atraksion

Një fotografi e Mohamed Salahut ka mjaftuar për ta kthyer një shkëmb të zakonshëm në malet e Turqisë në një destinacion të ri për tifozët e futbollit. E njohur lokalisht si “Salahtasi”, ose “Shkëmbi i Salahut”, kjo pikë ndodhet në zonat malore pranë Trabzonit dhe Gümüşhanes. Pas vizitës së sulmuesit egjiptian, vendi ka nisur të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë dhe tashmë është identifikuar në hartat lokale edhe si “Salah Yaylası”. Tifozë të Trabzonsporit dhe admirues të yllit egjiptian po udhëtojnë drejt kësaj zone për të parë nga afër vendin ku Salah është fotografuar dhe, sigurisht, për të rikrijuar të njëjtën foto. Interesi për vendin është shtuar edhe nga forma e shkëlqyer e sulmuesit egjiptian. Fenomeni i “Shkëmbit të Salahut” tregon edhe një herë ndikimin që një yll i futbollit mund të ketë përtej stadiumit, duke shndërruar një vend të qetë malor në një pikë tërheqëse për tifozë dhe turistë.