UEFA Nations League do të startojë pas pak ditësh edhe për Kombëtaren Shqiptare që do të japë provimet e para të vërteta pas testeve të verës për trajnerin Rolando Maran i cili me të drejtë kërkon kohë dhe durim nga tifozët. Italiani nuk duhet paragjykuar por dyshimet mbeten dhe të gjithë kanë të drejtë të bëjnë llogaritë e tyre në fund të dy ndeshjeve të radhës kundër San Marinos, Finlandës dhe Bjellorusisë. Tre teste të lehta në letër por tregues për rrugën që do të marrë kjo skuadër.
Grup i miksuar mes të rinjve dhe gardës nga Lindja e Mesme si shtylla kurrizore në një vit tranzicioni ku me siguri trajneri do të lejë gjurmën e tij me shpresën që për shqiptarët të jetë pozitive. Në të njëjtën kohë, Kosova do të luajë një ligë më lart, arritje e merituar për Dardanët që sot, pavarësisht kritikave në nivelin menaxherial, luajnë një futboll të bukur të mbështetur nga një brez i talentuar dhe me vullnet për të veshur fanellën e tyre. Kjo është hera e parë që vëllezërit tanë i shikojmë si superiorë dhe leksionin duhet ta marrim nga ta. Kosova është pasqyra ku duhet të shihemi për t’u rikthyer të suksesshëm dhe mbi të gjitha, për t’u rikthyer të përulur e jo me arrogancën karakteristike të vëllait të madh.
Pirro Bardhyli

