Si me porosi, Skënderbeu e heq maskën për të vrarë ..demin!

Sa herë që flitet me superlativa për rikthimin e një trajneri, na bëhet  sikur tersi ka dëgjuar pas porte fjalët me shumë sheqer  dhe ka vendosur ..ndëshkimin! Pak ditë më parë, presidenti Demi , në një intervistë , kishte thënë se rikthimi i Sormanit tek Partizani ishte si një “pendesë zemre”,  më shumë se një vendim radhe. Dhe ndodhi.. qysh në ndeshjen e parë, tamam- tamam me një kundërshtar ku e kaluara konservon  shumë prapësi , me Skënderbeun, trajneri Sormani ka rënë në tapet bashkë me Partizanin e rigjetur. Ishte nga ai i lloj Skënderbeu, për të cilin thuhet me djallëzi, madje nga shumë trajnerë dhe  vëzhgues nga ekrani, që shfaqet në fushë pa maskën e letargjisë, madje shumë më i gjallë, sesa i vdekur.

E kemi thënë edhe herë të tjera se gara në Superligë është si një ballo me maska, ku ekipet sa vjen e bëhen më të “panjohur” gjatë garës, sidomos pas pushimeve të janarit, ku i miri dhe i keqi ndërrojnë rolet  si pa të keq.  Trajneri Daja i Skënderbeut paska thënë disa fjalë që shpojnë jo më pak se 3 golat e fushës: “Nëse shikohet moviola ka 1 rast në favor të Skënderbeut dhe 15 kundër Skënderbeut. 1 me 15 janë gabime njerëzore, apo nuk e di çfarë mund të jenë?  Ky është një fakt që nuk e kundërshton njeri”. Nëse janë të vërteta këto shifra të Dajës, dhe që nuk paska njeri mbi tokë  që t’i kundershtoka , atëherë le të pranojmë se ka qënë po kjo racë arbitrash edhe në ditët e lumtura të Skënderbeut, kur sensi i gabimeve njerëzore komandohej ndryshe nga “shtëpia e shpirtave”

Sfidanti.al