Nuk vjen Mbape? Klopi ka gati gjigandin e radhës nga Gjermania!

Liverpuli është kthyer në një tërheqje fatale për shumë lojtarë në Europë, ndonëse mund të mos jetë ende si Reali apo Barcelona. Këtë e tregon fakti se një nga sulmuesit kryesorë të Bundesligës, Timo Verner, është gati të kalojë “La Manshin” në verë dhe të vendoset në “Anfild”. Mediat gjermane dhe britanike shkruajnë se futbollisti i Lajpcigut, me gjasë do të snobojë një mundësi për të luajtur tek Bajerni.

Kartoni i Vernerit mund t’i kushtojë rreth 60 milionë euro Jurgen Klopit, por këto shifra që cilësohen të larta në Gjermani, janë krejt modeste në Angli, pra nuk do ta pengonin trajnerin për të realizuar transferimin. Autori i 20 golave deri tani në Bundesligë, cilësohet si e ardhmja e sulmit të kombëtares gjermane. Gazeta “Bild” shkruan se Lajpcigu do të donte ta mbante edhe më shumë Vernerin, jo vetëm për talentin, por edhe sepse çdo vit që kalon ia rrit vlerën kartonit. Klopi nuk ka dashur kurrë tek Liverpuli lojtarë të tipit të Mbapesë apo Nejmarit, pasi vlerëson lojën kolektive ku që të gjithë lojtarët vrapojnë, dhe Verneri duket shumë i përshtatshëm.

Sfidanti.al