Bindja ishte e madhe që mund t’i merrte që të dy. Vështirë të refuzohej një klub që ishte pranë fitore së trefishtë, La Liga, Champions e Kupa e Mbretit, si dhe me gjeniun e futbollit në radhët e veta. Antuan Grizman e Matijs De Ligt dukeshin të paracaktuar për të veshur fanelën e Barcelonës, veçse gjithçka ka ndryshuar javët e fundit.
Që nga katastrofa në Liverpul, katalanasit panë thuajse t’i shkatërrohej sezoni, dhe të humbnin lavdinë që prisnin të kishin. Për De Ligtin ka konkurruar fuqishëm Paris SG, me një ofertë për Ajaksin dhe për qendërmbrojtësin, shumë më të madhe sesa ajo e Barçës. Gazeta “Marka” shkruan se e dashura e De Ligtit dhe njerëz të tjerë të afërm të tij po kërkojnë shtëpi në Paris.
Po Grizman? Nga Atletiko një ditë më parë u dhanë sinjale të qarta se do të shkojë në “Kamp Nou”, por besohet se Mançester Junajtid ka hyrë në skenë fort. Ole Gunar Solskjer dëshiron një sulmues klasi për ekipin e tij, për ta vënë në krah të Rashfordit dhe të Lingardit, ndërsa Romelu Lukaku po shkon tek Interi. Nga “Old Trafordi” jepen rreth 110 milionë euro, një shifër më e vogël sesa ajo që flitet se mund të shpenzojë Barcelona (120), por Junajtid është “ngrohur” nga fakti se drejtuesit katalanas nuk kanë lëvizur ende zyrtarisht.
Ende ekziston mundësia që De Ligti dhe Grizmani të shkojnë në “Kamp Nou”, aty ku do të luajë Frenki De Jong, mesfushori i Ajaksit. Gjithsesi, konkurrenca do të jetë e fortë dhe shpenzimet të mëdha, ndaj edhe duhen bërë “dalje” të rëndësishme.
Sfidanti.al