Edhe “maratonomaku” CR7 mund të ndalet nga dëmtimi!

Nuk është se i prish ndonjë punë të madhe Juventusit. “Zonja e Vjetër” ka nevojë për Kristiano Ronaldon, sidomos në Champions, por mungesa bezdis vetë “të zotin e punës”. CR7 mund të mungojë në ndeshjen delikate ndaj Napolit këtë fundjavë, për shkak të një goditjeje në kavilje që mori në sfidën ndaj Bolonjës.

Do të ishte dueli i parë i humbur gjatë sezonit për shkak dëmtimi, pasi deri tani Kristiano nuk ka luajtur vetëm kundër Jang Bojsit në Champions, kur ishte i skualifikuar pas përjashtimit ndaj Valencias. Natyrisht, ende nuk është vendosur asgjë, por Alegri do të dojë të mos rrezikojë yllin për ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampionëve ndaj Atletikos, që është edhe më e rëndësishmja e sezonit deri tani.

Vetë Ronaldo do të donte të luante ndaj Napolit, për të vazhduar garën e tij me golin, dhe për të pasur më shumë lavdi nga statistikat e tij. Kritikat nuk kanë munguar për 34-vjeçarin, edhe pse në Serinë A, portugezi nuk është paraqitur keq.

Sfidanti.al