Dortmundi tallet me kërcënimin e Bajernit për “ferrin”

Uli Hënes është një njeri i vjetër i batutës, dhe kjo jo në kuptimin e moshës, por të përvojës për ngacmime dhe luftë psikologjike. Presidenti i Bajernit e paska nisur betejën jashtë fushe me Dortmundin, 6 muaj përpara duelit të dy skuadrave në “Alianc Arena”, duke u kujtuar verdhezinjve se “në Mynih ju pret ferri”. Po ashtu, Hënesi paska deklaruar se “pas asaj ndeshjeje, fati i titullit do të jetë vendosur (me siguri, sipas tij, në favor të Bajernit)”.

Po në Dortmund çfarë thonë. Trajneri Lysien Favre ua tregoi me të qeshur lojtarëve të tij batutën e “armikut”, dhe ata u përgjigjën po ashtu të qetë duke fituar 3-2 ndaj Leverkusenit. Shefi ekzekutiv i Borusias, Hans-Joakim Vacke, ka edhe ai një përgjigje, por jo siç e priste Hënesi. “Nuk jemi marrë me deklaratat e Bajernit këta muaj, dhe nuk do ta bëjmë as tani, – u shpreh ai, – ne shikojmë vetë punën tonë”. Gjithsesi, lojtarët dhe tifozët e Dortmundit, i thonë Bajernit se kushdo që është mësuar me atmosferën në “Signal Iduna Park”, i vjen për të qeshur kur dëgjon për “ferr” në “Alianc Arena” të Mynihut.

Sfidanti.al