Presidenti i Xhenovës: E shita Piontekun, sepse do bëjë 35 gola!

Futbollisti i ri polak, Krishtof Piontek, është me të vërtetë zbulimi i sivjetëm i Serisë A, madje edhe para se ai të transferohej nga Xhenova për te Milani. Me golat që ai ka shënuar deri tani, Pionteku tregoi se zotëron një potencial të madh shënues (shtatë gola në gjashtë ndeshje), kështu që shumëkush mendon se ai nuk do ta ketë të vështirë që të arrijë deri te shifra 30 gola të shënuar.

Një deklaratë interesante lidhur me sa më sipër bëri presidenti i Xhenovës, Enriko Preciozi, që e shiti Piontekun për 35 milionë euro dhe tani e përdor këtë shifër si një simbolikë të veçantë:

“Mua nuk më habit aspak fakti se Pionteku po shënon te Milani. Sipas meje, ai do të arrijë që të shënojë 35 gola. Unë pres që ai ta realizojë këtë, sepse unë nuk e shita atë kot për 35 milionë euro. Unë e di se tifozët tanë nuk janë të kënaqur nga shitja e tij, por çfarë të bëjmë, na duhen paratë”.

Sfidanti.al