Realit nuk do t’i pëlqejë; Hazar: Unë, një legjendë e Çelsit!

Një yll i madh nuk mund të refuzojë Realin e Madridit, por edhe Barcelonën. Kështu thuhet rëndom “nga anët tona”, por duket se në Premier Ligë paska nga ata burra që dinë të thonë “jo”. Pasi këtë e bëri trajneri i Totenhemit, Maurisio Poçetino, ja edhe “margaritari” i Çelsit, Eden Hazar.

Futbollisti belg shënoi dy golat e fitores në fushën e Uatfordit (2-1), duke kaluar “tavanin” e 100 rrjetave për blutë e Londrës. “Unë dua që të shënoj më shumë se kaq, – ishte komenti i tij, – dua që të jem një legjendë e klubit si Lampardi, Terri apo Drogbaja”. Hazar ndodhet në vendin e 10-të të renditjes së shënuesve më të mirë të Çelsit, që kryesohet nga Lampard me 211 rrjeta.

Është diskutuar shumë për një kalim të tij tek Reali, madje kjo mund të kishte ndodhur edhe verën e kaluar, por mbërritja e trajnerit Sarri ndryshoi shumëçka. Çelsi sot luan futboll sulmues, që i pëlqen Hazarit, ndonëse nuk dihet nëse do të fitojë trofe të mëdhenj, dhe kjo mund ta bindë belgun që, gjithsesi, të largohet.

Sfidanti.al