“I vjetri” dhe “i riu” për Bajernin, Riberi feston 370-ën me gol

U plak në këtë klub. Frank Riberi mbërriti tek Bajerni në vitin 2007 në moshën 23-vjeçare i mbushur me energji dhe dëshirë për të shkëlqyer. Kanë kaluar 11 vjet dhe francezi me fytyrën e djegur e festoi me një gol të madh ndeshjen e tij numër 370 me fanelën e bavarezëve. Ishte një roveshatë në pozicion të vështirë, ku Riberi tregoi se ka ende shumë për të dhënë te kampionët e Gjermanisë.

Franku do të nisë bisedimet me klubin për një kontratë të re dhe Bajerni beson se kërkon ende ta mbajë 34-vjeçarin, ashtu siç do të ketë bisedime kontrate edhe me Arjen Robenin. Ja pra që mosha nuk qenka faktori kryesor për suksesin në futbollin profesionist.

Riberi nuk ishte i vetmi që shkëlqeu në fitoren e radhës në Bundesligë, atë 2-0 në fushën e Maincit, që e shkëputi Mynihun në 18 pikë nga ndjekësit më të afërt, Leverkusen e Lajpcig. Shumë lart edhe paraqitja e Hames Rodrigezit, të larguar “me ceremoni” prej Realit nga Zidani. Kolumbiani shënoi gol dhe mori vlerësim të lartë, po ashtu si Mats Humels.

Sfidanti.al