Është golshënuesi numër 2 i ligës franceze dhe asistuesi numër 1. Nejmar po ia del të shkëlqejë ashtu siç donte, në sezonin e tij të parë në skuadrën e re dhe kampionatin e ri. Superylli brazilian ka shënuar 18 gola e ka dhënë 11 asistë deri tani vetëm në Ligën 1, ndërsa Edinson Kavani nuk është shumë larg për numrin e rrjetave. Uruguajani ka shënuar 21 dhe ka shërbyer 4 asistë, ndërsa Kilian Mbape ka 9 gola dhe 7 asiste (i treti në këtë listë).
Nejmar, ndërkaq, ka hedhur sytë nga ndeshja ndaj Realit në Champions, vetëm pak orë pas suksesit bindës 3-0 të Paris SG në fushën e Lilës. “Jam në ankth për të luajtur ndaj Madridit, – u shpreh ai, – dua që ajo ditë të vijë sa më shpejt”. Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë të mposhtet ekipi kampion i Europës, pavarësisht rrëshqitjes në kampionat, por “Ney” është nga ata që nuk u druhen sfidave.
“Nuk mund të ketë padurim më të madh sesa ky për të luajtur ndaj Realit, – vazhdoi sulmuesi, – ne stërvitemi dhe përgatitemi pikërisht për ndeshje të tilla”. PSG kryeson fuqishëm ligën franceze, me 62 pikë ndaj 51 të Marsejës, kur duhen edhe 14 ndeshje deri në përfundim. Ekipi i trajnerit Unai Emeri ka shënuar 75 rrjeta në kampionat, më shumë se 3 për çdo ndeshje.
Sfidanti.al