Në stol ka një trajner shumë të mirë. Luçiano Spaleti e tregoi veten dy herë tek Roma si dhe tek Zeniti i Shën Petersburgut në Rusi, por me Interin nuk qenka e thënë. Barazimi ndaj Krotones në Serinë A, i gjashti radhazi, me siguri do ta lerë ekipin edhe më prapa në luftën për në Champions. Në klubin zikaltër u largua për pak muaj një ikonë si Marçelo Lipi, ndërsa duket se vazhdon “mallkimi i Murinjos”. Ç’është ky mallkim? Kështu përkufizohet koha që pas largimit të portugezit në 2010 për tek Reali, pas fitores së tripletës.
Me largimin e Zhozesë nuk është fituar asnjë trofe, ndërsa paraqitjet në Serinë A kanë qenë njëra më qesharake se tjetra. Në stol kanë zëvendësuar njëri-tjetrin Benitez, Leonardo, Gasperini, Ranieri, Stramaçoni, Maxarri, Mançini, De Bur, Veki, Pioli, sërish Veki dhe tani Spaleti. Listë tepër e gjatë për sukses kaq të vogël, me vetëm një kupë të Italisë fituar në 2011 me Leonardon në stol.
“E quaj veten të pambrojtshëm, – tha drejt Spaleti pas ndeshjes, – po tregojmë karakter të dobët dhe mungesë besimi. Është faji im, ndërsa nuk po fitojmë prej kohësh dhe nuk po luajmë mirë”. Mediat italiane nxjerrin përfundimin se “Perishiçit i ka mbaruar benzina, Borha Valero është i lodhur, ndërsa Kandreva e Brozoviç janë në luftë me tifozët e tyre”. Ka vetëm një gjë ende të mirë, që objektivi Champions mund të arrihet, pasi Interi mund ta kapë vendin e katërt në Serinë A.
Sfidanti.al