‘Yjet’ e futbollit që po bëhen pronarë klubesh

Në futbollin e sotëm, ‘yjet’ e mëdhenj nuk mjaftohen më vetëm me gola dhe trofe. Ata po shndërrohen gjithnjë e më shumë edhe në investitorë dhe pronarë klubesh, duke krijuar projekte afatgjata dhe duke synuar të lënë gjurmë edhe pas karrierës aktive. Fenomeni ka marrë hov vitet e fundit, ndërsa blerja e fundit e Cristiano Ronaldo (UD Almería) e ka rikthyer këtë trend në qendër të vëmendjes.

Cristiano Ronaldo – Sulmuesi portugez bleu 25% të aksioneve të Almería-s përmes kompanisë së tij “CR7 Sports Investments”, me një marrëveshje rreth 20-25 milionë euro. Më herët, ai kishte blerë edhe 15% të aksioneve të Al-Nassr, duke zgjeruar ndikimin e tij në futboll global.

Kylian Mbappé – Në 2024, sulmuesi francez u bë aksionari kryesor (80%) i SM Caen, duke fokusuar projektin tek akademia e të rinjve dhe rikthimi i klubit në elitën franceze.

Luka Modrić – Mesfushori kroat hyri si aksionar minoritar te Swansea City, duke synuar rritjen e imazhit global dhe stabilitetin ekonomik të klubit anglez.

Lionel Messi dhe Luis Suárez – Dy legjendat argjentinase krijuan në 2025 klubin Deportivo LSM në Uruguai, që tashmë ka siguruar ngjitjen e parë dhe synon të bëhet një referencë e futbollit vendas.

Thibaut Courtois – Portieri belg u bë aksionar strategjik i Le Mans FC përmes platformës “NxtPlay Capital”, në një projekt zhvillimi ambicioz.

N’Golo Kanté – Mesfushori francez bleu 100% të Royal Excelsior Virton në Belgjikë, duke shpëtuar klubin nga vështirësitë financiare dhe investuar te talentet e reja.

Vinícius Jr – Sulmuesi i Real Madrid mori rreth 80% të FC Alverca në Portugali, bashkë me investitorë brazilianë dhe spanjollë, me synimin për ta kthyer klubin në një projekt të rëndësishëm për zhvillimin e talenteve.

Ky trend tregon qartë se futbollistët modernë po ndërtojnë një perandori biznesi dhe sporti, duke shndërruar pasionin e tyre për futbollin në një ndikim afatgjatë që shtrihet përtej fushave. Nga Ronaldo dhe Messi te Mbappé dhe Vinícius Jr, ‘yjet’ e mëdhenj po bëhen edhe drejtues strategjikë të ardhmërisë së sportit.