Fitorja e Tiranës në Kukës dhe barazimi i Partizanit me Egnatian nuk trazon asgjë në ujërat e qeta të katërshes kryesuese ku lajmi më i madh është frymëmarrja me oksigjen të pastër për Tiranën që mban larg përkohësisht Laçin nga ndonjë sulm i mundshëm por edhe Skënderbeun që u dorëzua 3-0 në Durrës në festën më të madhe sezonale të Teutës. Tirana gjeti forcë me lojtarët më të mirë të listës që Ahmataj ka në dispozicion dhe tashmë mund ta bëjë gjumin të qetë pas një starti katastrofik të vitit 2024. Situata është identike përsa i përket kreut.
Kur kanë mbetur edhe 14 javë, Partizani nuk arrin të shkurtojë diferencën me Egnatian që mbetet 10 pikë por lajmi është rikthimi Skukës me gol në minutën e 90, realizim që shpëtoi nderin e të kuqve dhe nuk i zhyti ata në një spirale të rrezikshme pas humbjes me Laçin dhe barazimit me Vllazninë. Lajmi i vërtetë i ditës së djeshme është zhvendosja e Teutës nga fundi pas shumë javëve duke bërë rrokadë me Kukësin dhe tashmë për skuadrën e Edi Martinit ka shpresë pasi pikët që e ndajnë nga Skënderbeu humbës janë vetëm 5.
Nga Pirro Bardhyli