Trajneri i Napolit, Mauricio Sari, u shpall trajneri i vitit në Itali për vitin 2016, megjithëse ai nuk fitoi asnjë trofe. Drejtuesi i ekipit nënkampion grumbulloi më shumë vota, duke lënë mbrapa Masimiliano Alegrin të Juventusit dhe Euzebio di Françeskon të Sasuolos. Ky është çmimi i parë që i jepet Sarit që, brenda më pak se pesë viteve, nga Seria C kaloi në Serinë A, shkëlqeu me Empolin dhe meritoi stolin e trajnerit të Napolit. Sezonin e kaluar, ai siguroi titullin e nënkampionit të Italisë, ndërsa, gjatë këtij sezoni, mori pjesë edhe në Ligën e Kampioneve. Këtë vit, Napoli po lufton me Romën për vendin e dytë në Serinë A, ndërsa, gjatë pesë ditëve të para të prillit, do të ndeshet dy herë me Juventusin në një ndeshje për pikë dhe në një tjetër në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
sfidanti.al