Ku ngjason presidenti Samuel Eto dhe presidenti Duka ?

Duket sikur është një fantazi e shfrenuar, nga ato që i pjell mendja e botërorit, por nuk është ashtu sic duket. Eto ka luajtur futboll të madh, ka qënë sulmues me famë botërore, kurse presidenti ynë , Armando Duka, nuk figuron as tek ata që i kanë rënë topit, erdhi nga bota e pularisë, por ama, më pas luajti si “gjel” për më shumë se 20 vite.

Po atëherë, pse janë vënë pranë njëri- tjetrit, Eto dhe Duka? Sepse ish-futbollisti i famshëm, është president i federatës së Kamerunit dhe ka një zakon që nuk e kanë të gjithë presidentët. Eto, edhe pse ka qënë yll i futboll të luajtur, në rolin e presidentit nuk qëndron lart, por zbret poshtë tek futbollistët, qëndron aq pranë trajnerit Sise, sa dyshimi bëhet si ofshamë : ishalla nuk bën edhe formacionin e Kamerunit?

Sado i madh ka qënë Samuel Eto, sado i talentuar për gola dhe spektakël,edhe pse rolin e presidentit e ka për zemër, duket se nuk lindur me talent të fshehur për këtë lojë. Kurse presidenti ynë, aspak “çun stadiumesh”, nuk vrapoi kurrë pas topit , por erdhi dhe bëri “revolucionin” … topi po shkon pas tij. Media e Kamerunit spiunon se kur Eto u flet futbollistëve, duket sikur një ditë do të futet vetë në fushë. Ndërsa presidenti Duka , gati sa hyri në fushë kur luajtëm me Anglinë, për të bërë një herë të vetme një gol në skenë, ngaqë në prapaskenë është bomber i lindur…

Thonë se presidentët e Kombëtareve, ndryshe nga ata të klubeve, janë për lojë të madhe, sepse kjo racë futbolli po investon që t’i shohim si të përndriturit e topit. Kur u flet Eto futbollistëve, të duket sikur është akoma kapiteni i ekipit, ndërsa në Kombëtaren tonë, zëri i presidentit Duka është i koduar dhe vetëm garda e vjetër e ekipit e kupton se si do te kurdiset loja . Janë aq të lidhur në këto 20 vite, sa tregohet një rast, kur presidenti Duka doli vetë në fushë, të gjithë u shndërruan në “Iniesta” për t’i shërbyer, dhe në fund dëmtoi këmbën. Do pyesni : si e shëruan “bomberin”? Të nesërmen e gjithë Kombëtarja ..çalonte!

Sfidanti.al