Duket sikur ndonjë mallkim i madh është ulur këmbëkryq te klubi më i madh i Anglisë, dhe “djajtë e kuq” nuk po ngrenë dot kokën. Një pjesë e parë e tmerrshme bëri që Mançester Junajtidi të pësonte 4 gola që përfundimisht ishin rezultati i ndeshjes së Premier Ligës në fushën e Brentfordit, pra 4-0! Le ta harrojmë statistikën e rrejshme që miqtë mbajtën topin 69 për qind, pasi kjo nuk u bëri asnjë punë, as fakti që gjuajtën 11 herë drejt portës. Brentfordi ishte më i fortë, më i bashkuar, më energjik dhe pati më shumë gjuajtje në kuadrat si dhe shënoi 4 herë ndaj asnjë të ekipit të trajnerit Erik Ten Hag.
Holandezi duket se e ka përfunduar “muajin e mjaltit” dhe nuk dihet nëse do ta shpëtojë punën, pasi Junajtidi është në vendin e fundit në renditje. Nuk bëri punë treshja sulmuese Sanç-Rashford-Ronaldo, as Bruno Fernandes dhe Eriksen në mesfushë, Megajer, Shou e Martinez në mbrojtje dhe De Gea në portë. Përkundrazi, portieri spanjoll gaboi rënë në golin e dytë. Për fat të keq, portieri kuqezi Tomas Strakosha ishte vetëm në stol dhe nuk mori pjesë në festë, ndërsa Kristiano Ronaldo ishte titullar, por ishte krejtësisht jashtë ndeshjes.
Sfidanti.al