Lebroni vlerëson Dejvisin dhe lëshon një shigjetë për Kajri Irvingun!

Së bashku luajtën për disa vjet, arritën në finalet e NBA-së dhe fituan edhe titullin e madh, por miqësi nuk pati kurrë. Lebron Xhejmsi nuk arriti ta kishte shok Kajri Irvingun tek Klivlendi, në gjithë kuptimin e kësaj fjale, dhe ylli më i ri vendosi të shkonte fillimisht tek Boston Sëlltiksi, e pastaj tek Bruklin Netsi, duke theksuar se gjithçka u prish nga egoizmi i Lebronit. Ai së fundmi deklaroi se Bruklini ishte vendi më i mirë për të shkuar sepse aty do të luante me Kevin Durantin, një shok që e vlerëson si më altruist sesa Xhejmsi.

Vetë “Mbreti i basketbollit” e dha një përgjigje ndonëse jo direkt me emër, ndërsa po përgatitej për ndeshjen e dytë finale të NBA-së mes Lejkërsave e Majemit. “Unë dhe Entoni Dejvisi jemi shokë dhe po japim maksimumin së bashku sepse nuk ka xhelozi mes nesh, – ishte “shigjeta” e Lebronit, – në çdo sport skuadre, dy lojtarë që mund të jenë dominues i bashkojnë forcat për të mirën e ekipit, pa menduar për veten në radhë të parë. Ne luajmë si ekip, me aksione kolektive dhe kjo na ka bërë të suksesshëm këtë vit”. Vetë Dejvisi ka thënë se “e vetmja gjë që i kam zili Lebronit është që ka 3 tituj kampion në NBA”.

Sfidanti.al