Janë orët e fundit të “dritares së transferimeve” dhe duket se nga Liverpuli sinjali është i qartë. Xherdan Shaqiri me gjasë do të largohet nga kampionët e Anglisë, pavarësisht se shkëlqeu në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Linkolnit dhe mori përgëzime të nxehta nga trajneri Jurgen Klop. Gjermani vlerësoi se shqiptari i Zvicrës është lojtar i rëndësishëm dhe se kishte luajtur shumë mirë, por nuk e aktivizoi në dy ndeshjet e radhës, në Premier Ligë ndaj Arsenalit (3-1), dhe në Kupën e Ligës po ndaj londinezëve (0-0, 5-6). Shaqiri nuk është i dëmtuar, dhe është në formën e duhur fizike, ndërsa ai është i lodhur duke qenë rezervë e përjetshme. Sipas mediave zvicerane, ai mund të kalojë tek Lacio (ku ndodhen Igli Tare, Tomas Strakosha dhe Muriqi), ose tek Sevilja. Në të dyja rastet, do të luante në Champions, ndërsa mediat gjermane shkruajnë se nuk bëhet fjalë për një rikthim në Bundesligë, ku Xherdani luajti për Bajernin.
Sfidanti.al