UEFA dhe organizata European Football Clubs (EFC) janë vënë në shënjestër të një ankese zyrtare në Komisionin Europian, me pretendimin për shkelje të rregullave të konkurrencës dhe abuzim me pozitën dominuese. Ankesa është paraqitur këtë të hënë nga Bashkimi i Klubeve europiane (UEC), organizatë që përfaqëson klubet jashtë elitës së futbollit europian. Në qendër të kundërshtimit është marrëveshja ekskluzive që i njeh EFC-së statusin e të vetmit organ përfaqësues të klubeve europiane. UEC kërkon që Komisioni Europian të hetojë nëse kjo marrëveshje bie ndesh me rregullat e Bashkimit Europian kundër marrëveshjeve që kufizojnë konkurrencën dhe abuzimit me pozitën dominuese.
Sipas organizatës ankuese, ekskluziviteti i EFC-së, së bashku me peshën e pabarabartë të votave brenda saj, u jep klubeve të mëdha, si PSG dhe Bayern Munich, mundësinë të ndikojnë në mënyrë vendimtare në hartimin e rregullave të futbollit europian. Kjo, sipas UEC-së, rrezikon të konsolidojë avantazhet e klubeve elitare në një industri që gjeneron dhjetëra miliarda euro në vit.
“Çështja është e thjeshtë: kush ka të drejtë të ndikojë në rregullat që përcaktojnë të ardhmen e të gjitha klubeve? Sot, një organizatë e vetme e ka këtë mandat për të gjitha klubet e Europës, ndërsa shumica nuk ka asnjë zë real”, deklaroi Dennis Gudasic, sekretar i përgjithshëm i UEC-së dhe drejtor i përgjithshëm i Lokomotiva Zagrebit. Nisma është mbështetur nga Miguel Maduro, ish-avokat i përgjithshëm në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian dhe ish-kreu i komitetit të qeverisjes në FIFA.

