Distria Krasniqi, kampione e Evropës

Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudon e femrave, teksa në veprimtarinë kontinentale, që po mbahet në Zagreb, Distria e fitoi të enjten medaljen e artë. Ajo ishte nr. 1 i renditjes së kategorisë së peshës trupore deri 52 kg dhe nuk lejoi të papritura, teksa e nisi me fitore bindëse ndaj ukrainases Ana Borodina. Ndaj saj realizoi “uazari” të shpejtë, ndërsa nuk vonoi dhe siguroi “Ipon” me mbërthim. Edhe më bindëse xhudistja nga Kosova ishte në ndeshjen e dytë, teksa për më pak se një minutë eliminoi kroaten Ana Viktorija Puljiz. Në gjysmëfinale, Distria u hakmorr spanjolles Ariane Toro Soler për një humbje të mëhershme, teksa kishte vazhdimisht iniciativën dhe realizoi një “uazari”, ndërsa ndeshja përfundoi kur Soler pësoi dënimin e 3-të. Pra, deri në finale Distria nuk u rrezikua asnjëherë, teksa aty mposhti italianen Odetë Xhufrida, me një “uazari” në kohën shtesë. As Xhufrida nuk e rrezikoi asnjëherë xhudisten kosovare, për të cilën ky është titulli i dytë i Evropës për të rritura. Ka edhe dy medalje të argjendta evropiane e dy të bronzta, si dhe shumë të tjera në veprimtari të tjera. Në këtë Evropian po marrin pjesë 427 xhudistë, që përfaqësojnë 47 shtete.

sfidanti.al