Gjokoviç, fitore dhe nerva në US Open, por dëmtimi nuk ekziston!

Shqetësimi i parë duket se u la pas pa asnjë dyshim. Nga Novak Gjokoviçi që pati nevojë për trajtim intensive nga fizioterapisti në ndeshjen e kaluar të US Openit nuk mbeti më asnjë gjurmë, ndërsa kampioni në fuqi vazhdoi rrugën drejt mbrojtjes së titullit. Triumf 3-0 ndaj amerikanit Denis Kudla, me një paraqitje si ato të kohëve më të mira, me setet 6-3, 6-4 e 6-2.

Gjithsesi, numri 1 i botës pati presion të madh nga një episod që ndodhi para ndeshjes, ndërsa ai po bënte stërvitje. Duket se ndonjë tifoz e ngacmoi më shumë sesa duhet dhe serbi shkoi drejt tij duke e paralajmëruar i nervozuar se do ta gjente pas ndeshjes dhe të lante llogaritë me të. i pyetur pas ndeshjes, Gjokoviç e kishte mbledhur veten dhe u përgjigj me qetësi.

“Nëse do ta kisha takuar pas ndeshjes, – tha kampioni, – do t’i kisha blerë një birrë dhe do ta kisha falenderuar. Ai më ndihmoi shumë, ndoshta krejt pa dashje, sepse unë u motivova mjaft për ndeshjen dhe luajta në një nivel më të lartë. Nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe, thjesht ndonjë djalë mund të kishte pirë më shumë sesa duhet”.

Numri 1 i botës pohoi se u ndje i lumtur që arriti të luante në raundin e tretë pa shqetësime fizike, ndonëse nuk deshi të jepte hollësi se çfarë mjekimi kishte marrë këto ditë, dhe nëse kishte bërë gjilpëra qetësuese. Pas fitores me amerikanin, Gjokoviçi do të ndeshet në turin e katërt me zviceranin Sten Vavrinka, një nga tenistët më të rrezikshëm në botë, që e ka mundur serbin në Paris, si dhe në finalen e Nju Jorkut në 2016.

“Unë humba ndaj tij herën e fundit që luajta këtu, – theksoi Nole, – në finalen e 2016-ës. Ne kemi pasur disa beteja të forta gjatë viteve, pasi Vavrinka është tenist i fortë fizikisht dhe shumë i talentuar. Le të fitojë më i miri”. Gjokoviç është 3 herë kampion i US Openit dhe ka fituar 16 Grand Sleme në karrierë.

Sfidanti.al