Egnatia për të mbajtur lart nderin e Shqipërisë

Gjatë sezoneve të fundit, klubet e Superligës kanë dështuar të shkëlqejnë në Europë dhe shkaqet janë në dritën e diellit të të gjithëve. Është e pamohueshme që niveli i futbollit, aftësia e akademive për të rritur talente dhe dëshira për të investuar në këtë sport ka rënë paralelisht me rritjen e kontrollit të FSHF-së ndaj të gjithë aktorëve dhe faktorëve. Të gjithë nën zë e kundërshtojnë formulën e kampionatit por askush nuk ka kurajën ta votojë kundër dhe sot jemi në një situatë kur vetëm pak individë me këmbënguljen e tyre mbajnë në këmbë kolonat e këtij sporti në vend. Një prej tyre është edhe presidenti i Egnatias, klub që minimalisht po na jep kurajë dhe shpresë që në fund të tunelit mund të ketë dritë. I bazuar në një shembull të suksesshëm biznesi, klubi rrogozhinas jo rastësisht po korr suksese në vend edhe pse tashmë ka ardhur momenti që “dritën” ta shpërndajë edhe përtej kufijve. Egnatia nis sot rrugëtimin në UEFA Champions League. Kampionët e Shqipërisë do të përballen në “Egnatia Arena” me Breidablik, në orën 21:00 dhe ekipi i drejtuar nga Edlir Tetova ka mbi supe peshën e rëndë për t’i rikthyer minimalisht dinjitetin futbollit shqiptar që aq shumë ka nevojë për oksigjenin e suksesit në Europë.

Nga Pirro Bardhyli