E patën quajtur “nëndetëse” ekipin e Dinamos, ngaqë s’kishte periskop që ta zbulonte kur ajo vinte nga poshtë dhe të godiste lart! Erdhi një ditë, si këto që po na shohin sytë, nëndetsja ka dalë jashtë kontrollit, nuk sulmon më kundërshtarin, por veten e saj. Edhe ndeshja më e fundit, derbi me Partizanin, ishte një harakiri, ku ekipi shkaktonte penallti me shumicë, aq sa nuk ka bërë për sezon të tërë…
Nuk dihet ku filloi tersi i Dinamos! Shumë hipoteza: Kur presidenti Bardhi e prezantoi Dajën si trajnerin fuqiplotë dhe “të përjeshtëm”? Apo kur u hap thesi dhe Dinamo kërcente mbi miliona, si në ato dasmat ku lumturia e çiftit blihet me para? Apo sebep më vete ishte edhe largimi me silenciator i “Dajës së vogël”, ndihëmstrajnerit, që çuditërisht shkoi tek Elbasani.. si trajner i parë…
Dhe kur? Mu në kohën kur ekipi dhe stoli zbulonin probleme karakteri dhe nuk përputheshin , ikën biri dhe mbetet ..ati! Njërin e përkëdhel fati, dhe tjetrin e dënon. Një rast për studim, si mund të largohet ndihmësi në mes një pune. Më “misterioze” bëhet situata kur dihet se trajnerët nuk vërdallosen dot duke ndërruar ekipe, pa lejen e “pronarit” të kampionatit…
Sfidanti.al

