Zemërim në Angli, pasi qeveria pranon ultimatumin e UEFA-s!

Kryeministri Boris Xhonson është pranë arritjes së një marrëveshjeje me presidentin e futbollit kontinental, Aleksandër Çeferin, për të lejuar 2 500 të ftuar VIP dhe media në ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të Euro 2020, që janë parashikuar për t’u luajtur në stadiumin “Uembli” të Londrës. UEFA kishte dhënë një ultimatum duke kërcënuar që nëse nuk pranohej kërkesa e saj, finalet mund të zhvendoseshin në Budapest, ku qeveria hungareze ka hequr kufizimet për koronavirusin.

Lajmet për një marrëveshje të afërt kanë shkaktuar zemërim tek personalitetet britanike të futbollit dhe tek opinioni, pasi e cilësojnë si “papërgjegjshmëri” të qeverisë së tyre dhe të UEFA-s për të përjashtuar të ftuarit VIP nga rregullat që janë për të gjithë. Gjithsesi, duket se zoti Xhonson ka arritur të sigurojë që në “Uembli” të ketë 60 000 tifozë për ndeshjet e fundit të Europianit, ndaj rreth 40 000 që ishin parashikuar, dhe kështu kryeministri britanik mund të thotë se përjashtimi nga rregullat nuk po bëhet vetëm për VIP-at, por edhe për tifozët.

Sfidanti.al