Kjo skuadër tregoi se edhe kur je në momentin më të pashpresë, sërish mund t’ia dalësh, dhe ajo e bëri. Danimarka është në raundin e dytë të Kampionatit Europian, si skuadra e vendit të dytë në grupin B, edhe pse me vetëm 3 pikë! Një kualifikim i arritur në frymën e fundit, dhe me ndihmën e Belgjikës (që duhet ta falenderojë thellë), duke qenë kjo një dhuratë për Kristian Eriksenit. Mesfushorit të Interit duhet t’i jetë bërë mal zemra që thuajse e la në baltë në ndeshjen e parë të grupit ndaj Finlandës kur u rrëzua pa ndjenja përtokë.
Erikseni mund të ketë brohoritur si tifozët e tjerë, ndërsa Danimarka fitoi 4-1 ndaj Rusisë dhe u kualifikua, fale edhe fitores 2-0 të belgëve me Finlandën. Mikel Damsgard dhe Jusuf Poulsen e ngjitën në 2-0 ekipin danez ndaj rusëve, përpara sesa kapiteni Artjom Xhuba të shkurtonte diferencën me 11-metërsh. Gjithsesi, “cunami danez” nuk mund të ndalej dhe Andreas Kristensen dhe Joakim Mehle shënuan dy gola të tjerë. Belgjika bëri detyrën me autogolin e Lukas Hradeckit, dhe me rrjetën e zakonshme të Romelu Lukakut që ka 3 gola në këtë Europian. Skuadra e trajnerit Roberto Martinez ka 9 pikë nga 9 të mundshme, pra me 3 fitore, ndërsa golat janë 7-1. Vetëm Italia ka golaverazh më të mirë (7-0) dhe vetëm Holanda ka shënuar më shumë gola (8).
Sfidanti.al